Interi ka cilësitë dhe përvojën e nevojshme për t’u përballur me sfidën e Paris Saint-Germain , deklaroi mbrojtësi francez i ekipit italian, Benjamin Pavard, në një intervistë me “L’Equipe” para finales së Ligës së Kampionëve.
“Ne nuk jemi një ekip yjesh, por dimë si t’i bëjmë të gjitha së bashku, jemi të aftë të përballojmë çdo sfidë. Është e qartë se do të ketë momente kur do të jetë shumë e vështirë, por nuk jam i shqetësuar sepse jemi gati dhe dimë si t’i kapërcejmë ato. Kemi lojtarë me përvojë që janë mësuar me situata të tilla. Gjëja më e rëndësishme është të mos pësosh gola”, komentoi Pavar.
Interi luajti për herë të fundit në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2023, kur humbi 0-1 ndaj Manchester Cityt.
“Shumë nga djemtë ishin në ekipin që humbi atëherë. Tani ata do të kërkojnë hakmarrje. Humbja i mësoi shumë, ata janë edhe më të fortë pas saj. Ne mund të bëjmë diçka të madhe. Tani nuk është koha për të menduar për këtë, por për disa kjo mund të jetë shansi i fundit i madh për të ngritur trofeun”, beson Pavard.
Mbrojtësi francez ishte pjesë e skuadrës së Bayernit që triumfoi në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germain 1-0 në vitin 2020, megjithëse nuk mori pjesë në ndeshjen e trofeut në Lisbonë.
/GazetaBlic Sport/

