Sektori për Preventivë pranë SPB-së Kumanovë, në bashkëpunim me Komunën e Likovës, ka organizuar garën komunale për njohuritë mbi rregullat e komunikacionit, me pjesëmarrjen e nxënësve të klasave të teta dhe të nënta nga të gjitha shkollat fillore të komunës.
Pas përfundimit të rrethit të parë eliminues, nxënësit që grumbulluan numrin e nevojshëm të pikëve u kualifikuan në finalen e organizuar sot në SHFK “Kultura” në fshatin Mateç, e cila ishte nikoqire e këtij aktiviteti.
Pas garës dhe vlerësimit të pikëve, si dhe shpejtësisë në zgjidhjen e detyrave, u shpallën edhe tre nxënësit më të suksesshëm.
Vendin e parë e fitoi Yllka Mustafa nga SHFK “Dituria” në Likovë, vendin e dytë Bafije Yfetai nga SHFK “Anton Zako Çajupi” në fshatin Orllan, ndërsa vendin e tretë Eliza Emini nga SHFK “Faik Konica” në Sllupçan.
Fituesve iu ndanë vauçerë, me mbështetjen e kryetarit të Komunës së Likovës, Erkan Arifi.
Shefja e Sektorit për Preventivë, magjistrja Lile Mladenovska, falënderoi kryetarin Arifi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të projekteve të këtij sektori në territorin e Komunës së Likovës.
Ajo shprehu mirënjohje edhe për mentorët pjesëmarrës, si dhe për drejtorin dhe stafin e SHFK “Kultura” në Mateç për mikpritjen dhe kontributin në realizimin e aktivitetit.
Mesazhi i këtij aktiviteti ishte i qartë: Siguria në trafik fillon me edukimin dhe vetëdijesimin e gjeneratave të reja.


