Kombëtarja e Kosovës në hendboll luan sonte një nga ndeshjet më vendimtare në rrugën drejt Kampionatit Evropian “Euro 2026”.
Përballja kundër lideres së Grupit 6, Ishujve Faroe, zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me fillim nga ora 20:15.
Kosova kërkon suksesin në një nga grupet më të forta dhe më interesantë të fazës së dytë kualifikuese, ku aktualisht renditet e katërta me tri pikë, një më pak se Ukraina dhe Holanda, ndërsa në krye ndodhen Ishujt Faroe me pesë pikë.
Fitorja sonte do t’i hapte rrugë reale kualifikimit për “Euro 2026” dhe do ta mbante Kosovën në garë, para ndeshjeve të fundit që zhvillohen të dielën: Holanda – Kosova dhe Ishujt Faroe – Ukraina.
Kjo ndeshje transmetohet direkt poashtu në Radio Televizionin e Kosovës.

