Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se është i gatshëm të heqë dorë nga posti i tij, nëse kjo do të siguronte paqen ose anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
“Po, jam i lumtur, nëse është për paqen e Ukrainës”, ka thënë Zelensky të dielën në një konferencë për media në Kiev, raporton BBC.
Ai ka shtuar se, nëse largimi i tij do të garantonte anëtarësimin e Ukrainës në Aleancën Veri-Atlantike, atëherë është i gatshëm ta bëjë këtë.
“Nëse është nevoja që unë të largohem nga kjo karrige, unë jam gati ta bëj këtë, dhe gjithashtu mund ta shkëmbej atë me anëtarësimin në NATO për Ukrainën”, ka theksuar ai.
Zelensky ka potencuar se për momentin është i përqendruar te siguria e vendit dhe se nuk e sheh si një “ëndërr” të qëndrojë në pushtet për një dekadë.
Zelensky po ashtu ka thënë është “mirënjohës” për mbështetjen e administratës Biden dhe Trump.
Ai ka kërkuar mirëkuptim dhe garanci sigurie nga presidenti Trump për të ndihmuar Ukrainën. Presidenti ukrainas ka shtuar se e ka ftuar Trumpin në Ukrainë.

