E enjte, 23 Mars 2023 – 23:10
screnshot
Aeroporti Schiphol i Amsterdamit, një nga qendrat më të ngarkuara të aviacionit në Europë, do të detyrohet të kufizojë numrin e fluturimeve ndërkombëtare dhe pasagjerëve, sipas planeve të qeverisë holandeze për të ulur emetimet e karbonit, veprim që ka shkaktuar shqetësime te linjat ajrore.
Zyrtarët holandezë njoftuan më 17 mars, se do të vendosin kufizime në të gjitha fluturimet ndërkombëtare, për të arritur synimet e saj klimatike.
Aviacioni përbën rreth 2-3% të ndotjes së ngrohjes së planetit në botë, por pjesa e një vendi në ato emetime mund të jetë mjaft e lartë, veçanërisht për vendet më të vogla që trajtojnë shumë fluturime.
Dhe disa kanë synuar aviacionin për të reduktuar gjurmën e tyre të përgjithshme klimatike dhe për të përmbushur premtimet e tyre klimatike.
Ndërsa ka pasur më parë lëvizje brenda Europës, për të kufizuar ose ndaluar disa fluturime lokale dhe rajonale me distanca të shkurtra, për të ulur emetimet e karbonit, kjo do të ishte masa e parë mjedisore e bërë kundër shërbimeve ndërkombëtare.
KLM Royal Dutch Airlines, transportuesi kryesor i Holandës, shprehu shqetësime për këtë lëvizje.
“KLM beson se politikat e qëndrueshmërisë – për shkak të përfshirjes globale të aviacionit – duhet të rregullohen ndërkombëtarisht sa më shumë që të jetë e mundur”, tha kompania.
“Të qenit i vetmi vend në botë, që ka vendosur një nivel tavan kombëtar të emetimeve të CO2, nuk përputhet me një sektor që operon ndërkombëtarisht dhe me politikën ndërkombëtare.”
Ministria holandeze e transportit tha në një deklaratë se Schiphol dhe aeroportet e tjera të prekura, mund t’i shpërndajnë reduktimet gjatë një periudhe disavjeçare.
“Emetimet maksimale të CO2 të vendosura për çdo aeroport, do të zbatohen për disa vite, në mënyrë që një tejkalim në një vit, të mund të kompensohet në vitet në vijim,” tha ai.
“Politika do të ndihmojë vendin të përmbushë objektivin e tij të emetimeve të karbonit. Detaje të mëtejshme mbeten për t’u vendosur dhe qeveria premton, se diskutimet do të përfshijnë të gjitha palët.”
Sfidë ligjore
Aeroporti Schiphol është një qendër kryesore europiane së bashku me Londrën, Parisin dhe Frankfurtin.
Ai shërben gjithashtu si bazë për KLM, flotën ajrore të Holandës dhe një nga linjat ajrore më të mëdha të kontinentit.
Aeroporti u kritikua rëndë nga pasagjerët dhe linjat ajrore vitin e kaluar, pasi u iu desh të perballej me rimëkëmbjen e trafikut ajror pas pandemisë Covid.
Kaosi rezultoi në kufizime në numrin e pasagjerëve deri në fillim të vitit 2023, për të zbutur mungesat e personelit.
Në përgjigje të shqetësimeve mjedisore, qeveria holandeze publikoi “Skemën Paraprake Schiphol” (Preliminary Scheme Schiphol) në janar, e cila propozoi uljen e numrit të fluturimeve nga 500,000 në 460,000 midis dimrit 2023-2024 dhe verës 2024.
KLM, së bashku me lojtarë të tjerë të mëdhenj si Delta dhe EasyJet, e përshkroi këtë vendim si “të pakuptueshëm”, në një deklaratë të përbashkët të lëshuar më 3 mars.
“Linjat ajrore kanë bërë tashmë shumë miliarda Euro investime, për të përmbushur qëllimet afatshkurtra dhe afatgjata, në përputhje me trajektoret e tyre të dekarbonizimit si dhe me politikat e qeverisë, ndërkohë që justifikimi i qeverisë varet nga kufizimet operacionale, pa marrë parasysh zgjidhjet alternative të zbatueshme për të pasur efekt në reduktimin e zhurmës”, thuhet në deklaratë.
Delta Airlines, e cila është një partner kryesor i KLM dhe aksioneri kryesor i grupit Air France-KLM, tha gjithashtu se “kundërshton fuqimisht reduktimin e kapacitetit në Aeroportin Schiphol”, ndërsa mbetet “e fokusuar në mënyrë aktive në investimin në programin tonë të rinovimit dhe modernizimit të flotës.”
KLM nisi një sfidë ligjore kundër qeverisë holandeze, lidhur me vendimin e marrë në fillim të marsit. / CNN