Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Velisllava Petrova thotë se për të gjitha vendet që janë kandidate për përfshirje në Bashkimin Evropian, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë pjesë e kushteve për anëtarësim.
“Bullgaria nuk ka pasur kurrë një qëndrim për atë se cilin vend do të mbështeste. Ka kushte dhe ato janë të deklaruara qartë. Për të gjitha vendet që janë kandidate për përfshirje në Bashkimin Evropian, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë pjesë e këtyre kushteve. Ky do të jetë një fakt dhe një qëndrim që ne do ta mbrojmë, pavarësisht nga qeveria në Serbi apo në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha në një konferencë për shtyp ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Velisllava Petrova, në përgjigje të pyetjes nëse Bullgaria do ta mbështesë pa kushte Serbinë në rrugën e saj evropiane dhe cili është qëndrimi i kolegëve të saj evropianë kur diskutojnë me ta integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.
Petrova theksoi se çështja e Maqedonisë po ngrihet gjithnjë e më pak nga kolegët e saj evropianë, që do të thotë se, siç thotë ajo, qëndrimi i Bullgarisë është i qartë dhe i kuptuar nga kolegët e saj.
Sipas fjalëve të saj, do të ishte një mundësi e humbur për Maqedoninë nëse nuk e përdor këtë “puls për zgjerim dhe zhvillim”, i cili është i dukshëm në vende si Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe madje edhe Ukraina, për të hapur më shumë kapituj të negociatave dhe për të ecur përpara në rrugën drejt anëtarësimit.
“Shpresoj që në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të gjendet vullneti politik që kjo të ndodhë”, tha Petrova./Telegrafi/

