Një burrë ka humbur jetën në një zjarr që shpërtheu mbrëmjen e së premtes në lagjen Zhdanec të Shkupit. Trupi i tij u gjet në barakën e djegur plotësisht, pasi zjarrfikësit arritën ta lokalizonin zjarrin.
Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), zjarri ishte raportuar më 14 nëntor, rreth orës 23:40, në rrugën „Zhdanec“. Flakët kishin përfshirë një barakë me sipërfaqe prej rreth 80 metrash katrorë, në pronësi të një 56-vjeçari nga Shkupi.
Për shkak të përmasave të objektit dhe nevojës për angazhimin e një numri më të madh zjarrfikësish, ndërhyrja zgjati pothuajse dy orë.
Në shuarjen e zjarrit morën pjesë 19 zjarrfikës me shtatë automjete kundër zjarrit nga Brigada e Mbrojtjes Kundër Zjarrit e Qytetit të Shkupit.
Pas shuarjes së plotë të flakëve, në objektin e djegur u gjet trupi i pajetë i një burri. Deri më tani nuk është bërë i ditur identiteti i viktimës.
Shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit ende nuk janë zbardhur, ndërsa autoritetet kompetente po ndërmarrin masa për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të rastit.

