Nga sot nis detyrimi për pajisje dimërore, ja çfarë duhet të kenë automjetet
Nga sot, automjetet që qarkullojnë në rrugët publike duhet të kenë pajisjet dimërore të përcaktuara me ligj.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se detyrimi bazohet në Ligjin për Sigurinë në Trafikun Rrugor dhe në ndryshimet e tij.
Sipas Rregullores për pajisjet e detyrueshme të automjeteve, për automjetet motorike me peshë deri në 3.500 kilogramë, pajisje dimërore konsiderohen:
goma dimërore në të katër rrotat, me thellësi të profilit prej së paku 4 milimetrash;
ose goma verore në të katër rrotat, me profil prej së paku 4 milimetrash, nëse automjeti ka zinxhirë bore të madhësisë përkatëse për rrotat aktive ose pajisje të tjera të përshtatshme.
Për automjetet me tërheqje në të katër rrotat (4×4), kërkohen goma dimërore në të katër rrotat me profil së paku 6 milimetrash. Nëse përdoren goma verore, profili duhet të jetë së paku 4 milimetra dhe automjeti duhet të ketë zinxhirë bore. Për automjetet me tërheqje të përhershme në të katër rrotat, zinxhirët duhet të jenë së paku për boshtin e pasmë. Në rastin e tërheqjes me kyçje, zinxhirët duhet të jenë së paku për boshtin që është vazhdimisht aktiv.
Për automjetet me peshë mbi 3.500 kilogramë kërkohen goma dimërore në rrotat aktive, me profil së paku 6 milimetrash. Si alternativë, mund të përdoren goma verore në të katër rrotat, me profil së paku 4 milimetrash, nëse automjeti ka zinxhirë bore të madhësisë përkatëse për rrotat aktive ose pajisje të tjera të përshtatshme.
Autobusët dhe automjetet e rënda transportuese që, për arsye teknike, nuk mund të vendosin zinxhirë bore në rrotat aktive, duhet të kenë goma dimërore në këto rrota dhe pajisje ndihmëse, përkatësisht lopatë.
Goma dimërore konsiderohen ato që në anën anësore kanë shenjat “MS”, “M+S”, “M&S” ose simbolin e fjollës së borës në një mal të stilizuar me tri maja.
Sipas Rregullores për pajisjet e detyrueshme të automjeteve, në trafikun rrugor ndalohet përdorimi i gomave me gozhda.
Shoferët që nuk i plotësojnë kushtet e përcaktuara rrezikojnë gjobë prej 45 eurosh, përkatësisht rreth 2.770 denarësh.
MPB-ja u bën apel shoferëve ta respektojnë detyrimin ligjor për pajisje dimërore, për të mundësuar qarkullim të sigurt dhe pa pengesa gjatë kushteve dimërore.

