Një ngjarje tragjike ka ndodhur në një pikë karburanti në rrugën “Metodija Andonov Çento” në Shkup, ku një 67-vjeçar ka humbur jetën pasi është shtypur nga traktori i tij.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja është raportuar dje në orën 12:30. Viktima, R.K. nga lagjja Hasanbeg (Singeliq), pasi kishte mbushur me karburant traktorin e tipit IMT, me një makineri pune të bashkëngjitur, e kishte parkuar dhe kishte qëndruar pranë tij.
Në një moment, traktori është vënë vetvetiu në lëvizje dhe e ka shtypur 67-vjeçarin me rrotën e pasme, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
I plagosuri është transportuar me urgjencë në Qendrën Emergjente të kompleksit të klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku, pavarësisht përpjekjeve për trajtim, ka ndërruar jetë në orën 20:30.
Vdekja është konstatuar nga mjeku, ndërsa ekipi hetimor i SPB Shkup ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes.

