DEKLARATA E PLOTË
Të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë të Kumanovës,
Sot, ne si Degë e BDI-së në Kumanovë, jemi mbledhur këtu për të ngritur zërin kundër gjendjes tashmë alarmante në Spitalin e Kumanovës, e cila është pasojë e punësimeve me karakter klasik të pastër monoteik maqedonas dhe përjashtimit klasik të shqiptarëve nga e drejta për punësim.
90 me zero!
Një diskriminim i përmasave të tilla nuk mbahet mend as në 50 vitet e fundit. Madje, as në ish-Jugosllavi nuk ndodhte që në një institucion të tillë të mos gjendej qoftë edhe një shqiptar, ndoshta si pastrues apo rojtar, ndërsa sot kemi një shifër tronditëse: 90 punësime dhe asnjë shqiptar!
Andaj, sot jemi mbledhur këtu për ta alarmuar opinionin e gjerë dhe për të kërkuar përgjegjësi nga përfaqësuesit shqiptarë pa legjitimitet, të cilët po heshtin përballë këtij procesi të shpopullimit institucional të shqiptarëve.
Njëkohësisht, kërkojmë hetim institucional për të zbardhur se si dhe mbi çfarë kriteresh janë realizuar këto 90 punësime, në një proces kaq jotransparent.
Ne nuk jemi këtu për të kërkuar lëmoshë! Jemi këtu sepse rreth 70 mijë shqiptarët që gravitojnë në këtë spital janë edhe taksapagues dhe kanë të drejtën e tyre të barabartë në këtë institucion. Jemi këtu për të kërkuar hisen që na takon dhe për t’ia bërë të qartë opinionit se mekanizmi i balancuesit u hoq pikërisht për të krijuar hapësirë që shqiptarët të shndërrohen në zero në konkurset dhe punësimet institucionale, ashtu siç po ndodh në rastin konkret.


