Avokati i Lindsay Clancy ka mohuar raportimet se klientja e tij do të dëshmojë në procesin civil të nisur nga ish-bashkëshorti i saj, Patrick Clancy, kundër dy specialistëve të shëndetit mendor që e kishin trajtuar përpara vdekjes së tre fëmijëve të tyre, në janar të vitit 2023.
Lindsay Clancy (36) akuzohet se më 24 janar 2023, në shtëpinë familjare në Duxbury të Massachusetts, ka mbytur me shirita elastikë për ushtrime fizike tre fëmijët e saj: Cora, pesëvjeçare, Dawson, trevjeçar, dhe Callan, vetëm tetë muajsh.
Ajo nuk e mohon se ka shkaktuar vdekjen e fëmijëve, por mbrojtja pretendon se në atë periudhë vuante nga një psikozë e rëndë pas lindjes dhe dëgjonte zëra që e urdhëronin t’i vriste fëmijët e më pas edhe veten.
Ish-bashkëshorti i saj pretendon se psikiatri dhe një infermiere i kishin përshkruar barna të fuqishme psikiatrike, të cilat ia kishin përkeqësuar gjendjen. Sipas padisë, profesionistët shëndetësorë nuk e kishin identifikuar përkeqësimin serioz të shëndetit të saj mendor dhe nuk kishin siguruar trajtim e mbikëqyrje të përshtatshme. Patrick beson se tragjedia mund të ishte parandaluar.
Avokati i Lindsay, Kevin Reddington, mohoi se klientja e tij ka shprehur gatishmëri për të dëshmuar. Ndërkohë, avokati i Patrick, Howard Cooper, beson se ajo mund të dëshmojë pasi të sqarohet çështja e të drejtave të saj sipas Amendamentit të Pestë të Kushtetutës amerikane.
Cooper pretendon gjithashtu se Lindsay u kishte treguar punonjësve shëndetësorë se kishte mendime për vrasje dhe frikësohej se fëmijëve mund t’u ndodhte diçka e tmerrshme. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga mbrojtja e saj.
Procesi penal përfundoi më 4 shtator pa vendim përfundimtar, pasi juria nuk arriti unanimitet edhe pas shtatë ditësh diskutimesh. Prokuroria po shqyrton mundësinë e një gjykimi të ri.
Seanca e radhës është caktuar për 2 nëntor, kur mbrojtja do të kërkojë rrëzimin e akuzave, duke u mbështetur në parimin që ndalon gjykimin e dyfishtë për të njëjtën vepër penale. Nëse kërkesa refuzohet, mund të nisë një proces i ri gjyqësor.

