Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka njoftuar për një thirrje për grante të vogla, përmes së cilës organizatat e shoqërisë civile dhe mediat jofitimprurëse në Maqedoninë e Veriut mund të përfitojnë nga 10.000 deri në 20.000 euro për projekte të tyre.
“Organizatat e shoqërisë civile dhe mediat jofitimprurëse kanë mundësi të aplikojnë për grante nga 10.000 deri në 20.000 euro për projekte që mbështesin lirinë e shprehjes, gazetarinë profesionale dhe ndërgjegjësimin publik.”
Thirrja është pjesë e Skemës Rajonale të Granteve të Vogla, në kuadër të projektit #CredibleMedia4StrongSocieties, të financuar nga Bashkimi Evropian. Projektet mund të zgjasin deri në 10 muaj, ndërsa bashkëfinancimi nuk kërkohet.
Mbështetja financiare përfshin fushata për lirinë e shprehjes, hulumtime dhe rekomandime për politika publike, prodhim të përmbajtjeve mediatike për lirinë e medias dhe gazetarinë profesionale, si dhe organizim të konsultimeve, tryezave dhe dialogut me institucionet dhe aktorët lokalë.
Të drejtë aplikimi kanë organizatat e regjistruara jofitimprurëse me përvojë në fushën e lirisë së shprehjes dhe/ose avokimit. Mediat komerciale dhe gazetarët si persona fizikë nuk mund të aplikojnë si aplikantë kryesorë.
Afati i fundit për aplikim është 6 nëntori 2026, deri në orën 24:00.
Për informacione shtesë, të interesuarit mund të kontaktojnë përmes adresës elektronike scoop.macedonia@gmail.com, ndërsa thirrja dhe dokumentet e aplikimit janë të publikuara në faqen e SCOOP Maqedoni: https://scoop.mk/повик-за-доделување-на-грантови-за-нев/.

