Avokati Gent Gjini nga Prizreni ka përgatitur kallëzim penal kundër zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, për shkak të deklaratave të tij për ripushtimin e Kosovës dhe valëvitjen e flamurit serb në Prizren. Përmes këtij kallëzimi, të drejtuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kërkohet edhe lëshimi i një fletarrestimi ndërkombëtar ndaj politikanit serb. Gjini pretendon se deklaratat e Daçiqit përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Avokati ka kërkuar që ndaj Daçiqit të ndërmerren veprime penale, duke pretenduar se deklaratat e tij përbëjnë elemente të veprës penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit. Përveç ndjekjes penale, Gjini ka kërkuar që ndaj Daçiqit të lëshohet fletarrestim ndërkombëtar, përmes mekanizmave të INTERPOL-it dhe bashkëpunimit me autoritetet e shteteve mike.
Kosovapress shkruan se kallëzimi penal mban datën 12 tetor 2026 dhe është nënshkruar nga avokati Gent Gjini. Megjithatë, nga dokumentet e siguruara nuk mund të konfirmohet nëse kallëzimi është dorëzuar dhe regjistruar zyrtarisht në Prokurorinë Speciale, apo nëse kjo e fundit ka ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me kërkesën./Alsat.mk.

