Kongresisti republikan amerikan, Robert Aderholt, ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar në Shqipëri, duke bërë thirrje për refuzimin e dhunës dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore.
Përmes një reagimi, Aderholt ka theksuar se qytetarët shqiptarë meritojnë sundimin e ligjit, institucione llogaridhënëse dhe liri për të shprehur qëndrimet e tyre.
Ai i ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin dhunën, ndërsa ka kërkuar nga qeveria shqiptare që të garantojë respektimin e të drejtave të protestuesve paqësorë.
Kongresisti amerikan ka veçuar edhe rolin e të rinjve në të ardhmen e vendit, duke vlerësuar se ata duhet të kenë mundësi të shprehen dhe të ndikojnë në drejtimin që do të marrë Shqipëria.
“Jam thellësisht i shqetësuar për trazirat në përshkallëzim në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione që japin llogari dhe lirinë për ta shprehur zërin e tij”, ka shkruar Aderholt.
Ai ka shtuar se të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë zërin e tyre në formësimin e së ardhmes së vendit.

