TELFIJE MURSELI, NËNË DHE SHTYLLË E FAMILJES – SOT KA
NEVOJË PËR NDIHMËN TONË!
Në fshatin Rranmali jeton Telfije Murseli, bijë nga fshati Hotël, e martuar në
Rranmali, një nënë që jeta e ka përballur me sfida të shumta, por që nuk është
dorëzuar asnjëherë përballë vështirësive.
Me gjithë barrën e rëndë që mban mbi supe, ajo vazhdon të luftojë çdo ditë për tre fëmijët e saj, duke bërë gjithçka që ata të kenë një jetë më të mirë. Sot, kjo nënë e fortë ka nevojë për dorën tonë të
ndihmës, që pas gjithë sakrificave të saj, të ketë një strehë të sigurt për veten dhe
fëmijët e saj.
Ajo është njëkohësisht nënë dhe shtylla e familjes, duke mbajtur mbi supe
përgjegjësi të mëdha. Me bashkëshortin në gjendje të rëndë shëndetësore, Telfija
përpiqet të përballojë vështirësitë e përditshme dhe të mos i lërë fëmijët e saj pa
shpresë për të ardhmen.
Ekipi i Televizioni News, së bashku me kryetarin e shoqatës humanitare “Shpresa
e Re” z.Ajet Rahiminga Kumanova, e vizituam familjen për të parë nga afër
kushtet e vështira në të cilat jeton.
Me lot në sy, Telfija rrëfeu përpjekjet dhe sakrificat që ka bërë për t’u siguruar
fëmijëve të saj një jetë sadopak më të mirë.
Aktualisht, familja jeton në shtëpinë e kunatit, të cilën duhet ta lirojë sa më
shpejt.
Kushtet janë të vështira, ndërsa mungon edhe banjoja, një nevojë
elementare për çdo familje.
Për Telfijen, shqetësimi më i madh është se ku do të
strehohen ajo dhe fëmijët e saj.
Por, edhe në këto rrethana, shpresa nuk është shuar.
Një donator anonim ka dhuruar një pjesë të tokës ku planifikohet të ndërtohet shtëpia e re, ndërsa disa
punëtorë me zemër të madhe janë të gatshëm t’i kryejnë punimet vullnetarisht.
Tani nevojitet ndihma e të gjithëve për ta çuar këtë nismë deri në fund.
Televizioni News dhe shoqata humanitare “Shpresa e Re” u bëjnë thirrje
qytetarëve, bizneseve dhe bashkatdhetarëve tanë që, sipas mundësive, të
kontribuojnë për ndërtimin e shtëpisë së familjes Murseli.
Telfija ka bërë shumë sakrifica për fëmijët e saj.
Tani është radha jonë t’i qëndrojmë pranë asaj dhe familjes së saj.
Ajo që kërkohet nuk është luks, por një shtëpi e thjeshtë, një vend i sigurt ku
fëmijët të rriten me dinjitet dhe ku kjo nënë të mund të marrë frymë më e qetë,
pa frikën e humbjes së strehimit.
Le të bashkohemi për Telfijen dhe tre fëmijët e saj.
Ndoshta për dikë një kontribut është pak, por për këtë familje mund të jetë hapi që e afron drejt një
jete më të mirë./ Gazetare: Vlora Zenuni Hamiti – Televizioni News

