Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka shprehur mbështetjen për kandidatin e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji, në prag të zgjedhjeve lokale të 18 tetorit.
Ahmeti, përmes një mesazhi të publikuar në përfundim të fushatës zgjedhore, e ka cilësuar atë si dinjitoze, cilësore dhe përmbajtjesore, duke shprehur bindjen se qytetarët e Bërvenicës do të vlerësojnë punën, vizionin dhe përkushtimin e kandidatit të tyre.
“Banorët e Bërvenicës do të dinë të gjykojnë drejt, duke vlerësuar punën, vizionin dhe përkushtimin. Ata nuk do të bëjnë pazare me të ardhmen e tyre, por do të zgjedhin përfaqësimin e denjë dhe përgjegjës që meriton komuna e tyre”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka theksuar se më 18 tetor qytetarët do të shprehin vullnetin e tyre përmes votës, duke shprehur bindjen se mbështetja do të jetë në favor të Arkin Jahijit dhe AKI-së.
Sipas Ahmetit, mbështetja për kandidatin e AKI-së është pjesë e një besimi që, siç shprehet ai, po rritet çdo ditë, duke e cilësuar alternativën e tyre politike si forcë që synon të sjellë ndryshim, dinjitet dhe perspektivë për qytetarët në mbarë Maqedoninë e Veriut.
Në përfundim të mesazhit të tij, kreu i BDI-së ka përcjellë një thirrje mobilizuese për zgjedhjet e 18 tetorit.
“Fitore për Arkin Jahijin! Fitore për Bërvenicën! Fitore për qytetarët!”, ka përfunduar Ali Ahmeti.

