Shkruan: Fejzi HAJDARI
Dalja publike e Artan Grubit mbrëmë në Shkup, e shoqëruar me një pritje simbolike, por me mjaft pompozitet nga një pjesë e qytetarëve, kryesisht simpatizantë dhe mbështetës të flaktë të BDI-së, nxori në sipërfaqe një paradoks të madh të realitetit tonë politik. Pothuajse rrufeshëm pasuan reagimet, akuzat dhe pyetjet:
“Si është e mundur?”, “Pse po pritet në këtë mënyrë?”, “A nuk është ky njeriu që akuzohej për korrupsion?”, “Po përgjegjësia, po drejtësia, po premtimet për luftë kundër korrupsionit?” Pyetje legjitime, pa dyshim! Por, nëse këto dilema janë të sinqerta dhe jo thjesht shpërthime të nervozizmit politik, atëherë duhet të pasohet nga një pyetje shumë më e rëndësishme, shumë më e rëndë dhe shumë më e pakëndshme për ata që sot shprehin habi:
KUSH E KRIJOI KËTË REALITET POLITIK, NË TË CILIN NJË NJERI QË DJE PARAQITEJ SI SIMBOL I KORRUPSIONIT, SOT PRITET ME DUARTROKITJE DHE ATMOSFERË FESTIVE?! Për shkak se problemi nuk fillon te duartrokitjet. Problemi fillon shumë më herët, te mënyra se si është ushtruar pushteti, si janë ndërtuar pritshmëritë, si është administruar drejtësia dhe si është shndërruar lufta kundër korrupsionit në një nga premtimet më të mëdha politike. Ata që dje e kundërshtonin Grubin, e akuzonin dhe e përdornin emrin e tij si argument për ndryshim politik, sot duhet të pyesin veten:
Çfarë bëmë “ne” që krijuam kushtet për një pritje të tillë? Ku dështoi mesazhi partive në pushtet? Ku mbetën rezultatet që duhej ta bindnin opinionin se drejtësia po funksionon dhe se askush nuk është mbi ligjin? Mirëfilli dihet se në politikë nuk mjafton ta shpallësh dikë fajtor në konferenca shtypi. Fajësia provohet në gjykatë, jo në foltore partiake! Dhe jam i binudur se pikërisht këtu qëndron paradoksi.
Kur akuzat politike nuk shoqërohen me rezultate të qarta institucionale, kur premtimet për drejtësi mbeten pezull dhe kur qytetarët humbin besimin se institucionet veprojnë me standarde të barabarta, atëherë krijohet hapësira që edhe një figurë e përballur me akuza serioze, të paraqitet para mbështetësve të vet si fitimtare.
Kjo nuk do të thotë se pritja festive e shfajëson Grubin. Aspak! As duartrokitjet nuk janë vendim gjykate, as simpatia partiake nuk është dëshmi pafajësie. Por po aq e vërtetë është se as akuzat politike nuk mund ta zëvendësojnë drejtësinë. Prandaj, ata që sot indinjohen nga pamjet e mbrëmshme duhet të kuptojnë se indinjata nuk është politikë, habija nuk është rezultat dhe propaganda nuk është drejtësi!
Nëse dikush ka premtuar se do ta ndryshojë këtë realitet, atëherë përgjegjësia e tij është ta ndryshojë, jo të ankohet vazhdimisht për pasojat e tij. Mos kërkoni fajtorë vetëm te turma që duartroket. Pyesni edhe pse ajo turmë sot ndihet e inkurajuar të duartrokasë. Mos e shihni vetëm manifestimin, por edhe shkaqet politike që e mundësuan.
Humbja më e madhe politike nuk është kur kundërshtari juaj duartrokitet. Humbja është kur, pas gjithë premtimeve dhe akuzave tuaja, nuk arrini ta bindni opinionin se keni sjellë një realitet më të drejtë dhe më të besueshëm. Dhe në fund, një porosi për të gjithë ata që sot pyesin me habi:
“Si është e mundur kjo?” Është e mundur pikërisht sepse politika shpesh ka prodhuar më shumë spektakël sesa përgjegjësi, më shumë akuza sesa rezultate dhe më shumë premtime sesa drejtësi. Prandaj, fajin mos e kërkoni gjithmonë te komshiu. Shikoni njëherë në oborrin tuaj! Për shkak se mund të ndodhë që përgjigjja për atë që ju indinjon sot, të gjendet pikërisht aty ku dje premtonit ndryshimin.

