Mbrojtja e Artan Grubit është distancuar publikisht nga tubimi i mbrëmshëm para shtëpisë së tij, i organizuar pas heqjes së masës së arrestit shtëpiak, duke kërkuar falje ndaj qytetarëve që mund të jenë shqetësuar nga ngjarja.
Në reagimin e saj, mbrojtja pretendon se tubimi ishte spontan, se Grubi nuk kishte asnjë rol në organizimin e tij dhe se nuk bëhej fjalë për ndonjë iniciativë politike.
Sipas avokatëve, qytetarë, fqinj dhe miq janë mbledhur vetë para shtëpisë së ish-zëvendëskryeministrit, pasi u bë publik vendimi për heqjen e arrestit shtëpiak.
“Tubimi ishte spontan, para shtëpisë së Artan Grubit, pa fjalime, pa mesazhe dhe pa simbole politike”, thuhet në reagimin e mbrojtjes.
Avokatët theksojnë se heqja e masës është rezultat i një vendimi të organeve kompetente, të marrë në procedurë ligjore, dhe se nuk duhet të shërbejë si shkak për interpretime politike.
“Në emër të klientit tonë, u kërkojmë falje të gjithë qytetarëve që mund të jenë shqetësuar mbrëmë nga tubimi spontan, që zgjati disa minuta dhe që mund të ketë krijuar një përshtypje të gabuar në opinion”, thuhet në komunikatë.
Mbrojtja këmbëngul se Grubi nuk qëndron pas organizimit të tubimit dhe se mbështetja e shprehur nga të pranishmit nuk duhet të interpretohet si mesazh apo iniciativë politike e tij.
Reagimi vjen pasi Gjykata Themelore Penale në Shkup njoftoi se masa e arrestit shtëpiak ndaj Grubit, i akuzuar i dytë në rastin “Lotaria e Maqedonisë”, është shfuqizuar në bazë të ligjit, për shkak të skadimit të afatit maksimal prej 60 ditësh nga paraqitja e aktakuzës.
Megjithatë, gjykata i ka caktuar masa kujdesi, përfshirë ndalimin e largimit nga vendbanimi, detyrimin për t’u paraqitur periodikisht në gjykatë dhe ndalimin e kontaktit me persona të caktuar. Në fuqi mbetet edhe konfiskimi i dokumentit të udhëtimit, pasi gjykata ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për kthimin e tij kundrejt garancisë.
Mbrojtja bën të ditur se fokusi i saj mbetet te aspektet juridike të çështjes, mbrojtja e të drejtave të Grubit dhe garantimi i një procesi gjyqësor të ligjshëm dhe të drejtë.

