Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, mungoi në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, ku u miratua themelimi i një grupi punues për mbështetjen institucionale në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Mungesa e saj ka nxitur reagimin e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, e cila kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të ministres.
“GËRVALLA DUHET TË SHKARKOHET!”, ka shkruar Musliu në reagimin e saj.
Deputetja e PDK-së tha se Gërvalla kishte munguar edhe ditën kur u votua Ligji për Dhomat e Specializuara.
“Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e çlirimtarëve, mungesa e ministres së Drejtësisë nuk është thjesht mungesë në një mbledhje. Është goditje ndaj besueshmërisë së angazhimit shtetëror”, ka deklaruar Musliu.
Ajo shtoi se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon seriozitet dhe përgjegjësi shtetërore, duke vlerësuar se ministrja nuk mund të vazhdojë ta ushtrojë këtë përgjegjësi nëse mungon në momente të tilla.
“Gërvalla ka zgjedhur të jetë në anën e kundërt të historisë, prandaj duhet të shkarkohet!”, ka përfunduar Musliu.

