Gresë Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqit, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila e dënoi babain e saj me 25 vjet burgim.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Krasniqi e ka cilësuar vendimin si të padrejtë, duke shprehur zhgënjimin e saj me aktgjykimin.
“Sot, në qytetin e drejtësisë, ndodhi padrejtësia më e madhe e këtij shekulli”, ka shkruar ajo.
Krasniqi ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale, duke pretenduar se vendimi është politik dhe se, sipas saj, ai e dëmton imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo ka përmendur edhe faktin se Jakup Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së, duke e krahasuar rastin e tij me atë të Ivica Daçiqit, i cili në atë kohë ishte zëdhënës i forcave serbe.
“Në këtë gjykatë të padrejtë, sot u dënua zëdhënësi i UÇK-së, ndërsa homologu i tij i atëhershëm, Ivica Daçiq, vazhdon të jetë i lirë dhe të jetojë krejt mirë në Beograd. Ky është veç një tjetër tregues i qartë për natyrën paragjykuese dhe politike të po kësaj politike”, ka shkruar Krasniqi.

