Kryeministri Edi Rama u ka premtuar qytetarëve se pas protestave të muajve të fundit ata, dhe qeveria e tyre, do të dalin më të fortë. Në një videomesazh live në Facebook pas përfundimit të takimit të gjatë me ministrat dhe funksionarë të tjerë shtetërorë të zhvilluar në Pogradec, Rama tregoi edhe planet për të ardhmen.
“Duke pasur parasysh se tani disponojmë dy baza shumë të rëndësishme, baza teknologjike të marrëdhënies me E-Albania-n dhe Bashkëqeverisjen, të cilave do t’u shtohet edhe Pasqyra Albania, që do të jetë dritarja e vetme unike ku qytetari do të drejtohet për t’u informuar në kohë reale për gjithçka që qeveria e tij, që shteti i tij, në aspektin gjithmonë… Sepse, në një moment të dytë, nëse e shohin të arsyeshme dhe kur ta shohin të arsyeshme, edhe komponentët e qeverisjes së gjyqësorit mund t’i bashkëngjiten asaj dritareje. Është një dritare ku secili ka autonominë e vet për të pasur kontaktin direkt të qytetarit me atë pushtet.
Dhe nuk është thjesht vetëm halli, kërkesa e qytetarit, që do të konceptohet si një letër apo si një pako që çohet me postë, me ID, dhe statusi i të cilës ndiqet në kohë reale. Statusi bart edhe përgjegjësitë e afateve. Dhe ky është synimi i këtij projekti”, tha Rama, përcjell A2 CNN.
“Por është edhe gjithë pjesa tjetër që shkon qeveria tek qytetari, shkon shteti tek qytetari, për të mos e lënë të papërgatitur dhe të paarmatosur me argumente përballë atij ndërmjetësit të padukshëm që ka hyrë në jetët tona, që është algoritmi. Dhe kur them “për të mos e lënë të papërgatitur”, këtu nuk flasim për një portal propagandistik. Nuk flasim për një portal që do të tregojë se çfarë do të bëjmë ne në të ardhmen, se kjo nuk ka lidhje me qëllimin e Pasqyrës. Po flasim për një pasqyrë. Shteti do të thotë se çfarë po bën. Do të shikosh statusin e një rruge, ku është, kush po e bën, sa pjesë e punës është bërë deri tani, pse po vonohet, kush po e vonon. Do të mund ta ndjekësh, sepse ajo është një punë që bëhet për ty”.
Kryeministri shtoi se gjatë takimit janë përcaktuar një sërë piketash për çdo sektor. “Jemi përqendruar shumë te shëndetësia, jemi përqendruar shumë te arsimi. Jemi përqendruar te krijimi i një zinxhiri, i cili do të jetë zinxhiri i Shqipërisë sociale. Sot një Shqipëri sociale është jo thjesht e rëndësishme sepse ka qenë gjithmonë, por fillon të bëhet e mundshme më shumë se deri më sot, sepse janë shtuar mundësitë. Një Shqipëri sociale në gjërat që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e jetës së qytetarëve. Sot është më shumë se çfarë ishte në të shkuarën: mbijetesa. Sot është cilësia e jetës”, shtoi Rama.
“Kemi folur për çmimet. Natyrisht, kemi një plan për këtë. Jetojmë në një sistem ku nuk kemi asnjë eksperiencë, asnjë praktikë të përcaktimit të çmimeve nga shteti, që kjo është e pamundur, por kemi një plan për të bërë transparencë për qytetarin lidhur me çmimet e ushqimeve bazë, plan të cilin do ta prezantojmë herët a vonë, në momentin kur të jetë i konsoliduar plotësisht me detaje. Ashtu siç thashë, edhe një sërë komponentësh të tjerë të programit.
Dëgjoni, unë e kuptoj shumë mirë që gjithçka ka ndodhur në këtë periudhë ka gërryer shtratin e një lumi të, nëse mund ta bëj këtë krahasim, të qeverisjes edhe të raportit të qytetarit me shtetin, me qeverisjen. Por unë jam i bindur që, siç e kam thënë qysh në krye të herës, në të gjithë këtë vorbull, këta që do të dalin më të fortë do të jenë qytetarët shqiptarë dhe qeveria e tyre, sepse qeverisja do të përmirësohet dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe.
Jo thjesht sepse qeverisja, bazuar edhe në dijen e fituar, edhe në eksperiencën e fituar, edhe në burimet njerëzore në dispozicion, vetvetiu duhet të përmirësohet, sepse, në të kundërt, nuk ka asnjë arsye që të vazhdojë, por sepse, në këtë rast, ka qenë vërtet një dhuratë ajo që ka ndodhur për të.
Duket se pati një problem me internetin me kryeministrin Edi Rama gjatë këtij udhëtimi me makinë nga Pogradeci drejt Tiranës, në përfundim të takimeve dyditore që zhvilloi në Pogradec me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, drejtuesit e komisioneve parlamentare dhe anëtarët e kabinetit qeveritar”. (A2 Televizion)

