Pas më shumë se dy dekadash, komuniteti i gazetarëve në Maqedoninë e Veriut ka miratuar një Kod të ri të Gazetarëve, i cili vendos standarde të reja etike për raportimin në epokën digjitale. Dokumenti sjell rregulla për përdorimin e inteligjencës artificiale, mbrojtjen e privatësisë, transparencën e korrigjimeve dhe raportimin për temat e ndjeshme njofton agjencia e lajmeve INA.
Kodi i ri është përgatitur nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Instituti Maqedonas për Media (IMM) dhe Këshilli për Etikë në Media (KEM), me synimin për t’iu përgjigjur sfidave që kanë sjellë mediat digjitale, rrjetet sociale dhe zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është rregullimi për herë të parë i përdorimit të inteligjencës artificiale në gazetari. Sipas Kodit, kjo teknologji mund të përdoret vetëm si mjet ndihmës dhe nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë profesionale të gazetarit. Përmbajtjet e krijuara ose të ndryshuara ndjeshëm me inteligjencë artificiale duhet të shënohen qartë, kur kjo është e rëndësishme për informimin korrekt të publikut.
Kodi vendos gjithashtu një dallim të qartë ndërmjet interesit publik dhe interesit të publikut. Ai thekson se dëshira për më shumë klikime apo kurioziteti i publikut nuk janë arsye për cenimin e privatësisë. Informacionet nga jeta private mund të publikohen vetëm nëse kanë rëndësi për zbulimin e korrupsionit, abuzimeve apo çështjeve të tjera me interes të madh publik.
Një tjetër risi është detyrimi që mediat të shënojnë publikisht korrigjimet e rëndësishme në artikujt e publikuar, në vend që ndryshimet të bëhen pa u vënë re. Synimi është rritja e transparencës dhe forcimi i besimit të publikut në media.
Kodi forcon edhe rregullat për konfliktin e interesit, duke kërkuar që gazetarët të jenë të pavarur nga ndikimet politike, ekonomike dhe çdo presion tjetër që mund të ndikojë në objektivitetin e tyre. Po ashtu, ai kërkon raportim më të kujdesshëm për fëmijët, viktimat e dhunës, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë e tjera të cenueshme, me theks të veçantë në respektimin e dinjitetit njerëzor.
Në dokument janë përfshirë edhe udhëzime të reja për raportimin mbi vetëvrasjet dhe tentativat për vetëvrasje. Mediat këshillohen të shmangin titujt sensacionalistë, publikimin e detajeve për mënyrën e kryerjes së aktit dhe përmbajtjet që mund të kenë ndikim negativ te personat e cenueshëm.
Gjithashtu, përdorimi i materialeve të incizuara fshehurazi mbetet i lejueshëm vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur ekziston interes i fuqishëm publik, informacioni nuk mund të sigurohet ndryshe dhe publikimi i tij ndihmon në zbulimin e shkeljeve serioze ose veprimeve të kundërligjshme.
Edhe pse nuk ka fuqi ligjore dhe nuk parashikon sanksione, Kodi i ri përfaqëson një standard të rëndësishëm profesional. Ai synon të forcojë besimin e publikut në media dhe të promovojë një gazetari më të përgjegjshme, më transparente dhe më etike, në një kohë kur dezinformimi, inteligjenca artificiale dhe gara për klikime po ndryshojnë mënyrën e informimit.(INA)

