Nga Bruno Ceka
Universitetet shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të mos bien në kthetrat sllavo-maqedone dhe të humbin identitetin kombëtar.
Vizitat shtetërore të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare duhet të bëhen me program diplomatik, edhe për të evidentuar, bashkë me përfaqësues të BE-së, se çfarë zbaton në realitet shteti laboratorik në Shkup dhe deri kur do të vazhdojë diskriminimi i shqiptarëve në RMV.
Shqiptarët e RMV-së duhet ta kërkojnë dhe ta realizojnë fuqinë shtetformuese si popull i pashkëputur me shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë, brenda formulës së bashkimit politik, me lobim në Parlamentin Europian dhe në Kongresin Amerikan, duke qenë një front i vetëm për të mirën e kombit.
Besoj se formula e federalizimit është zgjidhja për një RMV gjeografike, por po nuk e kërkuam, nuk na dhuron kush!
Të gjitha universitetet shqiptare të Ballkanit (Shqipëri, Kosovë dhe RMV) duhet të kenë një model shqiptar arsimimi të njësuar me frymë kombëtare, brenda të gjitha politikave europiane, që diploma universitare e të diplomuarit shqiptar të jetë konkurruese në demokracitë perëndimore, me qëllim t’i shërbejmë shoqërisë shqiptare pa u ndikuar nga askush.

