Gjatë gjykimit në Hagë ku po dëshmon dëshmitari i tretë i mbrojtjes së Thaçit, u paraqit një deklaratë e ish-komandantit të KFOR-it në Kosovë, Gjeneralit Mike Jackson, e dhënë më 24 maj 2016 në Gjykatën e Lartë në Londër.
Avokatja e Hashim Thaçit, Nina Tavakoli, lexoi nga kjo deklaratë që Jackson kishte thënë se nuk kishte prova që UÇK-ja të kishte kryer akte dhune ndaj serbëve.Jackson kishte theksuar se megjithëse nuk përjashtonte mundësinë që disa individë të kenë kryer akte të tilla, nuk kishte prova që këto ishin praktika institucionale të UÇK-së.
Ai shtoi se nuk kishte dëshmi që UÇK-ja të kishte kryer spastrim etnik ndaj serbëve që kishin mbetur në Kosovë gjatë verës së vitit 1999.
Dëshmitari John Duncan u shpreh në përputhje me këtë vlerësim të gjeneralit Jackson. Ai gjithashtu mohoi që Jackson të kishte raportuar ndonjëherë komandës së NATO-s për akte dhune të drejtuara nga Hashim Thaçi ndaj civilëve.
Gjatë seancës, disa pyetje ndaj Duncan u bënë në mënyrë private nga Prokuroria dhe mbrojtja e Rexhep Selimit, e përfaqësuar nga avokati Eric Tully.

