Sektori për Preventivë pranë SPB-së Kumanovë, sot në Komunën e Likovës ka organizuar një garë edukative për testimin e njohurive të nxënësve rreth rregullave dhe sigurisë në komunikacion.
Në këtë aktivitet morën pjesë nxënës nga të gjitha shkollat fillore të Komunës së Likovës, të klasave të teta dhe të nënta. Sot u zhvillua rrethi i parë eliminues, ndërsa nxënësit që arritën numrin e nevojshëm të pikëve siguruan plasmanin në finalen e madhe, e cila do të mbahet nesër, më 22 nëntor, në SHFK “Kultura” në fshatin Mateç, shkollë nikoqire e këtij aktiviteti.
Ky aktivitet realizohet në bashkëpunim me Kabinetin e Kryetarit të Komunës së Likovës.
Shefja e Sektorit për Preventivë Lile Mlladenovska theksoi se aktiviteti, përveç karakterit garues dhe argëtues, ka mbi të gjitha karakter edukativ. Përmes lojës, shoqërimit dhe garës, nxënësit mësojnë për rregullat bazë të pjesëmarrjes në komunikacion, sjelljen e këmbësorëve, përdorimin e biçikletave dhe motoçikletave, si dhe njohjen e shenjave të komunikacionit, paralajmërimeve, kufizimeve dhe rreziqeve të mundshme në rrugë.
Organizatorët presin që finalja e nesërme të jetë një ditë e veçantë, me pjesëmarrje të gjerë dhe me mesazhe të rëndësishme për ndërgjegjësimin e gjeneratave të reja mbi sigurinë në komunikacion.
Mesazhi i këtij aktiviteti është i qartë: njohja e rregullave të komunikacionit dhe respektimi i tyre fillon që në moshë të hershme./TELEVIZIONI NEWS


