Në Komisionin për Financim dhe Buxhet në Kuvend sot fillon debati për amendamentet e Propozim-Buxhetit për vitin 2027, përcjell TV21. Në seancën që duhet të nisë në orën 11:30 janë dorëzuar mbi 300 amendamente.
Gjatë debatit të përgjithshëm në ditët e kaluara, deputetët e pushtetit vlerësuan se Propozim-Buxheti paraqet një kornizë për menaxhim të përgjegjshëm të financave publike, ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar, përmbushjen në kohë të detyrimeve ndaj qytetarëve dhe realizimin e programeve zhvillimore të shtetit. Sipas tyre, bëhet fjalë për një buxhet zhvillimor, të orientuar drejt rritjes ekonomike, investimeve kapitale dhe përmirësimit të standardit të jetesës.
Nga ana tjetër, opozita vlerëson se projeksionet e Qeverisë nuk pasqyrojnë gjendjen reale ekonomike, ndërsa deficiti i rritur dhe huamarrjet vënë në pikëpyetje karakterin zhvillimor të buxhetit. Sipas opozitës, shpenzimet kapitale janë të pamjaftueshme dhe investimet e projektet e paralajmëruara nuk mbështeten me mjete përkatëse në zërat buxhetorë.
Në Propozim-Buxhetin për vitin 2027, të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në 395,4 miliardë denarë (rreth 6,42 miliardë euro), që paraqet rritje prej 5,7 për qind krahasuar me vitin 2026.
Shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në 440,4 miliardë denarë (rreth 7,15 miliardë euro), ose 4,8 për qind më shumë se një vit më parë.
Deficiti buxhetor është planifikuar në 45 miliardë denarë (rreth 731 milionë euro), përkatësisht 3,5 për qind të BPV-së, në përputhje me Strategjinë Fiskale për periudhën 2027–2031.
Për shpenzime kapitale janë paraparë 40,8 miliardë denarë (rreth 663 milionë euro), ndërsa të hyrat tatimore janë projektuar në 223,1 miliardë denarë (rreth 3,62 miliardë euro), me rritje prej 6,4 për qind.
Për transferta sociale janë paraparë 220,8 miliardë denarë (rreth 3,59 miliardë euro), që paraqet rritje prej 4,1 për qind. Prej tyre, 123,8 miliardë denarë (rreth 2,01 miliardë euro) janë dedikuar për pagesën e pensioneve, me rritje prej 4,8 për qind, në përputhje me harmonizimin ligjor.

