Manila, Filipine-Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në ditën e dytë të Konferencës së Dytë Globale Ministrore për Eliminimin e Dhunës ndaj Fëmijëve, në Manila të Filipineve, prezantoi në emër të Qeverisë zotimet konkrete për forcimin e mbrojtjes së fëmijëve nga të gjitha format e dhunës.
Gjatë paraqitjes së tij, ministri Shasivari theksoi angazhimin e Qeverisë për ndalimin e martesave para moshës 18-vjeçare, forcimin e mbrojtjes ligjore nga dhuna fizike dhe digjitale, krijimin e shërbimeve të specializuara për fëmijët viktima të dhunës, si dhe parandalimin e dhunës në shkolla.
Zotimet përfshijnë gjithashtu funksionalizimin e ekipeve ndërsektoriale në të gjitha Qendrat për Punë Sociale, krijimin e një sistemi të unifikuar të të dhënave dhe avancimin e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve në kontakt me sistemin e drejtësisë.
Ministri Shasivari nënvizoi se pjesëmarrja në këtë forum ndërkombëtar nuk përbën vetëm përfaqësim institucional, por edhe përgjegjësi për zbatimin konkret të zotimeve përmes legjislacionit më të avancuar, institucioneve më efikase dhe mekanizmave që garantojnë mbrojtje reale për çdo fëmijë.
„Asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet i pambrojtur.
Mbrojtja e fëmijëve nuk është vetëm detyrim ligjor, por përgjegjësi morale dhe shtetërore“, theksoi ministri Shasivari.
Konferenca në Manila mbledh përfaqësues të nivelit të lartë nga 131 shtete të ndryshme të botës, me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërmarrjen e masave konkrete për eliminimin e dhunës ndaj fëmijëve.

