Sot, Sektori për Preventivë, në bashkëpunim me Muftininë e Kumanovës, organizoi një takim pune me të gjithë imamët e objekteve fetare nga Komuna e Likovës dhe Komuna e Kumanovës, në lidhje me organizimin dhe mbajtjen e aktiviteteve festive për 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit Shqip dhe 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Shqiptar.
Në takim janë dakorduar aktivitete të përbashkëta, me qëllim që këto festa të shënohen në atmosferë të qetë dhe paqësore, në mënyrë dinjitoze, pa cenim të rendit dhe qetësisë publike, pa fyerje ndaj feve, kombeve, popujve të tjerë, institucioneve shtetërore, si dhe pa gjuhë të urrejtjes apo sjellje të papërshtatshme.
Nga ana e drejtuesit të Sektorit për Preventivë dhe Muftinisë së Kumanovës është bërë apel për të gjithë qytetarët që do të marrin pjesë në festime dhe manifestime, që të përmbahen nga çdo veprim që mund të cenojë rendin dhe qetësinë publike, të shmangin sjelljet e pahijshme dhe nxitjen e tyre.
Apel është bërë edhe për pjesëmarrësit në trafik, që gjatë lëvizjes me automjete të sigurojnë qarkullim normal, të mos pengojnë lëvizjen e automjeteve të tjera dhe të mos shkaktojnë bllokime e kaos në trafik.
Në fund, janë përcjellë urime për festat e ardhshme, me pritshmëri që ato të festohen së bashku në atmosferën më të mirë, duke qenë shembull i bashkëpunimit të suksesshëm, respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit dhe respektimit të festave të të gjitha komuniteteve.


