SVR KUMANOVË ME FUSHATË PREVENTIVE: NGA 15 NËNTORI HYR NË FUQI DETYRIMI PËR PAJISJE DIMËRORE
Sektori për Preventivë pranë Sektorit për Punë të Brendshme (SVR) në Kumanovë ka realizuar sot një fushatë preventive me rastin e fillimit të sezonit dimëror, duke rikujtuar drejtuesit e automjeteve për detyrimin ligjor për posedimin dhe përdorimin e pajisjeve dimërore në komunikacion.
Nga 15 nëntori deri më 15 mars të vitit të ardhshëm, të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion janë të obliguar të respektojnë rregullat për pajisjet dimërore, përfshirë përdorimin e gomave adekuate dhe zinxhirëve për borë, varësisht nga kushtet në rrugë.
Gjatë kësaj periudhe, drejtuesve të automjeteve u rekomandohet të kontrollojnë rregullisht gjendjen teknike të automjeteve, nivelin e antifrizit, presionin e gomave, vajin e motorit dhe akumulatorin, si dhe të sigurohen që të kenë gjithmonë lëng për pastrimin e xhamave.
Shefja e Sektorit për Preventivë pranë SVR Kumanovë, Lile Mladenovska, u ka bërë apel të gjithë qytetarëve, drejtuesve të automjeteve dhe transportuesve që operojnë në komunikacionin urban dhe në linjat ndërkombëtare, që t’i përmbahen me përpikëri obligimeve ligjore.
Ajo gjithashtu ka apeluar që shpejtësia të përshtatet me kushtet e rrugës, veçanërisht në rastet e ngricave, mjegullës, dukshmërisë së zvogëluar dhe reshjeve të borës apo shiut.
Qëllimi i kësaj fushate është ngritja e vetëdijes së shoferëve dhe parandalimi i aksidenteve në komunikacion, me synimin që sezoni dimëror të kalojë sa më sigurt, pa aksidente dhe viktima në rrugë./TELEVIZIONI NEWS


