Një kazino në rrugën magjistrale në Kërçovë është kapur duke shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike, pasi gjatë një kontrolli është zbuluar një pajisje e posaçme për manipulimin e njehsorëve.
Rasti është zbuluar nga ekipi i specializuar i Elektrodistribucionit për zbulimin e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike, pas analizave të detajuara të konsumit dhe monitorimit të vazhdueshëm të matësve.
Gjatë kontrollit në objekt është konstatuar sjellje e pazakontë e njehsorëve, ndërsa matjet kanë evidentuar frekuenca prej 225 deri në 340 Hz, dukshëm mbi standardin prej 50 Hz.
Sipas Elektrodistribucionit, në dy njehsorë ishte instaluar një pajisje për manipulimin e frekuencave, e siguruar në tregun e zi, përmes së cilës mundësohej regjistrimi i pjesshëm ose mosregjistrimi i plotë i energjisë elektrike të shpenzuar.
Për rastin është përpiluar procesverbal për përdorim të paautorizuar të energjisë elektrike dhe është dorëzuar kallëzim në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), në bazë të nenit 235-a të Kodit Penal.
Ndërkohë, për dy pikat matëse janë lëshuar dy fatura për kompensimin e dëmit, në vlerë të përgjithshme prej 2.722.798 denarësh, apo rreth 44.300 euro.
Elektrodistribucioni nuk ka bërë të ditur identitetin e kazinosë.

