Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka theksuar se prodhimi vendor po shënon rritje, duke i vlerësuar pozitivisht të dhënat për prodhimin industrial gjatë muajit shtator të vitit 2026.
Sipas të dhënave të prezantuara nga ministri Durmishi, prodhimi industrial në shtator është rritur për 2,4 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa industria përpunuese ka regjistruar rritje prej 4,2 për qind.
Durmishi ka theksuar se këto rezultate janë një sinjal pozitiv për kompanitë vendore, punëtorët dhe ekonominë e vendit.
“Ky është një lajm i mirë për kompanitë vendore, për punëtorët dhe për ekonominë tonë”, është shprehur ministri Durmishi.
Ai ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të prodhimit vendor, duke theksuar se rritja e kapaciteteve prodhuese krijon më shumë mundësi për zhvillimin e bizneseve dhe për njerëzit që punojnë në to.
“Sa më shumë të prodhojmë në vend, aq më shumë mundësi krijojmë për bizneset tona dhe për njerëzit që punojnë në to”, ka deklaruar Durmishi.
Ministri ka theksuar gjithashtu se, pavarësisht treguesve pozitivë, mbetet ende shumë punë për t’u bërë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe forcimit të industrisë vendore.
“Ka ende shumë për të bërë, por çdo hap përpara ia vlen”, ka përfunduar Durmishi.
Rritja e prodhimit industrial dhe veçanërisht e industrisë përpunuese paraqet një zhvillim pozitiv për sektorin prodhues në Maqedoninë e Veriut.

