Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në Kosovë ka asgjësuar 5,560 kilogramë misër të importuar nga Serbia, pasi analizat laboratorike zbuluan praninë e aflatoksinës B1 në nivele mbi kufijtë e lejuar.
Sipas AUV-së, misri i kontaminuar është identifikuar në tri subjekte ekonomike, ndërsa asgjësimi është kryer më 29 tetor, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të agjencisë.
Konkretisht, janë asgjësuar 3,270 kilogramë misër në kompaninë “Agro Com” në Fushë Kosovë, 1,040 kilogramë në “Thermo-1” në Prugoc të Prishtinës dhe 1,250 kilogramë në NTP “Te Hysi” në Shtime.
Aflatoksina B1 konsiderohet një substancë toksike e rrezikshme, e prodhuar nga myku, e cila mund të shkaktojë dëmtime serioze të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e kancerit në rast ekspozimi të zgjatur.
Shqetësues është edhe fakti se kjo toksinë, kur konsumohet nga kafshët përmes ushqimit të kontaminuar, mund të kalojë në qumësht në formën e aflatoksinës M1, duke rrezikuar potencialisht edhe shëndetin e konsumatorëve.
AUV u ka bërë thirrje fermerëve dhe tregtarëve që të kontrollojnë origjinën dhe cilësinë e ushqimit për kafshë, ndërsa ka paralajmëruar vazhdimin e inspektimeve dhe analizave laboratorike për të parandaluar qarkullimin e produkteve të rrezikshme.

