Organizatorët e Balkan Summit 2026 kanë vlerësuar kontributin e zëvendësministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, në panelin kushtuar bujqësisë dhe industrisë ushqimore, të mbajtur në Prishtinë. Në letrën e falënderimit drejtuar Hoxhës, ata kanë veçuar trajtimin e çështjes së ujitjes dhe menaxhimit të burimeve ujore si një ndër faktorët thelbësorë për zhvillimin e sektorit agro-ushqimor.
“Ujitja është pengesa për të cilën askush nuk flet në prezantime, ndërsa ju e vendosët në qendër të diskutimit”, thuhet në letrën e organizatorëve, të cilët kanë shprehur mirënjohje për pjesëmarrjen dhe kontributin e zëvendësministrit në edicionin e parë të Samitit.
Gjatë diskutimit në panel, Hoxha u përqendrua në tri çështje kryesore: modernizimin e sistemeve të ujitjes, potencialin eksportues të prodhimeve bujqësore dhe krijimin e kushteve më të favorshme për investime në sektorin agro-ushqimor.
Duke folur për menaxhimin e ujërave, ai theksoi se ndryshimet klimatike, periudhat gjithnjë e më të shpeshta të thatësirës dhe infrastruktura e vjetruar e ujitjes paraqesin sfida serioze për prodhimin bujqësor.
“Prioriteti ynë është rehabilitimi dhe modernizimi i sistemeve ekzistuese të ujitjes, zvogëlimi i humbjeve të ujit dhe përdorimi i teknologjive bashkëkohore. Ujitja precize dhe monitorimi digjital janë të rëndësishëm për të siguruar kushte më të qëndrueshme për fermerët dhe për të krijuar një mjedis më të sigurt për investime”, theksoi Hoxha.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe mundësive për zgjerimin e eksporteve bujqësore në tregun evropian.
Hoxha bëri të ditur se gjatë vitit 2024, eksportet agro-ushqimore të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian arritën rreth 422 milionë euro, që përbëjnë pothuajse gjysmën e eksporteve të përgjithshme të këtij sektori.
Sipas tij, potencial të konsiderueshëm për zgjerim kanë pemët dhe perimet e freskëta dhe të përpunuara, vera, produktet organike, mjalti dhe prodhimet blegtorale, në përputhje me standardet evropiane.
“Synimi ynë nuk është vetëm të eksportojmë më shumë, por të eksportojmë produkte me vlerë më të lartë të shtuar. Kjo kërkon investime në përpunim, magazinim, paketim dhe certifikim, në mënyrë që një pjesë më e madhe e vlerës ekonomike të mbetet te fermerët dhe në ekonominë vendase”, u shpreh zëvendësministri.
Në diskutimin për tërheqjen e investimeve të huaja, Hoxha theksoi rëndësinë e procedurave transparente dhe koordinimit institucional, në mënyrë që investitorët të kenë informacion të qartë për mundësitë e investimit, disponueshmërinë e tokës, kushtet e ujitjes dhe mekanizmat e mbështetjes financiare.
“Qëllimi ynë është që investitori të mos humbasë kohë duke kërkuar se ku duhet të drejtohet, por të ketë një rrugë të qartë institucionale për realizimin e projektit të tij”, deklaroi Hoxha.
Balkan Summit 2026 mblodhi në Prishtinë mbi 900 përfaqësues të kompanive, agjencive zhvillimore dhe institucioneve financiare ndërkombëtare nga më shumë se 10 vende. Në program morën pjesë përfaqësues të Bankës Botërore, IFC-së, BERZH-it, Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, krahas përfaqësuesve qeveritarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.
Në letrën e tyre, organizatorët kanë shprehur gjithashtu gatishmërinë për vazhdimin e komunikimit dhe bashkëpunimit, ndërsa kanë paralajmëruar se edicioni i ardhshëm i Balkan Summit do të mbahet në Tiranë, nga 14 deri më 16 tetor 2027, me synimin për ta zhvilluar këtë ngjarje në një platformë të qëndrueshme për partneritete dhe investime rajonale.


