Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përshëndetur fitoren e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në Serbi më 25 tetor, duke e cilësuar atë si një fitore të bashkimit, dinjitetit dhe përfaqësimit politik.
Në një reagim në rrjetet sociale, Begaj u shpreh se rezultati duhet të përkthehet në më shumë të drejta dhe barazi për shqiptarët e kësaj treve, si dhe në dhënien fund të diskriminimit.
“Fitorja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është fitore e bashkimit, dinjitetit dhe përfaqësimit politik. Tani ky rezultat duhet të kthehet në më shumë të drejta, barazi dhe fund të diskriminimit. Shumë urime!”, shkruan kreu i shtetit.
Zgjedhjet e 25 tetorit u zhvilluan në një moment të rëndësishëm për përfaqësimin politik të shqiptarëve në Serbi, pasi tetë subjekte politike nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja vendosën të garojnë së bashku në një listë të vetme, të emërtuar “Koalicioni Shqiptar”.
Lista, e drejtuar nga Shaip Kamberi, u regjistrua me numrin 17 në fletën e votimit.
Bashkimi synonte të shmangte fragmentimin e votave dhe të rriste numrin e përfaqësuesve shqiptarë në Kuvendin e Serbisë.
Gjatë fushatës, përfaqësuesit e koalicionit kërkuan pjesëmarrje të lartë në votime, duke vënë në fokus çështje si përfaqësimi i drejtë në institucionet shtetërore, zhvillimi ekonomik, njohja e diplomave dhe problematika e pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

