Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate (PSD) ka reaguar pas vrasjes së një gruaje në Pejë, duke drejtuar akuza ndaj institucioneve të shtetit për mënyrën se si, sipas saj, është trajtuar rasti i viktimës para se t’i merrej jeta.
Në një shkrim në ‘Facebook’, Kuçi pretendon se viktima ishte përballur me kërcënime dhe sulme, shkruan Insajderi.
“Kunati e kërcënoi dhe e sulmoi, por mbeti i lirë. Linda u detyrua të kthehej për ta kërkuar djalin, e vetme, pa mbështetje, pa siguri”, ka shkruar Kuçi.
Ajo ka akuzuar sistemin gjyqësor, Policinë dhe shërbimet e mirëqenies sociale për dështim në mbrojtjen e Lindës, duke e cilësuar vrasjen si pasojë të një zinxhiri institucional.
Sipas Kuçit, Linda kishte mbetur për muaj të tërë pa mundësi për ta parë djalin e saj, edhe pasi, siç pretendon ajo, kishte fituar të drejtën për të në gjykatë. Kuçi ka shkruar gjithashtu se bashkëshorti i Lindës ishte liruar pa kaluar 48 orë nga, siç u shpreh ajo, kidnapimi i djalit.
“Lindën shteti e la vetëm, si shumë gra të tjera. Asaj iu pamundësua ta shihte djalin për muaj të tërë. Djali iu mor nga duart edhe pasi ajo e fitoi të drejtën për të në gjykatë”, ka shkruar ajo. /Insajderi.org/

