KF Bashkimi ka shënuar një fitore të rëndësishme në shtëpi, duke mposhtur FC Strugën me rezultat 2:1, në ndeshjen e zhvilluar sot në kuadër të xhiros së nëntë të kampionatit vendor. Por, përtej tri pikëve të fituara, kjo ndeshje kishte një domethënie të veçantë për klubin dhe tifozët e tij. Skuadra kumanovare ia dedikoi këtë triumf Sadush Sherifit, njërit prej tifozëve më besnikë të Bashkimit, i cili u nda nga jeta ditë më parë. Ndeshja nisi më mirë për mysafirët nga Struga, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 26-të me golin e Lassano Diakos. Megjithatë, Bashkimi reagoi shpejt dhe në minutën e 34-të, Nickel Orr barazoi rezultatin në 1:1. Në pjesën e dytë, vendasit vazhduan me lojë të vendosur dhe në minutën e 51-të, Antonio Mayimona realizoi golin e fitores, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2:1. Kjo fitore mori një kuptim edhe më emocional për familjen e madhe zi e gjelbër, pasi golat dhe triumfi i skuadrës u shndërruan në një homazh për Sadush Sherifin, i cili për vite me radhë qëndroi pranë klubit me përkushtim dhe dashuri. Sadushi ishte jo vetëm një tifoz besnik, por edhe një prej anëtarëve të parë në formimin e tifogrupit “Ilirët”, duke mbetur pjesë e rëndësishme e historisë dhe identitetit të tifozëve të Bashkimit. Me këtë fitore, Bashkimi dëshmoi se futbolli nuk është vetëm rezultat në fushë, por edhe emocion, përkatësi dhe kujtime që mbeten gjallë përtej kohës. Tri pikët për Bashkimin, por kjo fitore ishte për Sadushin – një emër që do të mbetet në kujtesën e familjes zi e gjelbër. U prehsh në paqe, Sadush Sherifi! ![]()
![]()

