Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i ka kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) publikimin e raportit të plotë policor lidhur me ndërhyrjen e 7 tetorit, gjatë së cilës dy të rinj nga Saraji, të moshës 21 dhe 23 vjeç, dyshohet se janë rrahur nga pjesëtarë të policisë.
Nga BDI thonë se në opinion janë paraqitur versione të ndryshme për ngjarjen. Sipas dëshmive të të rinjve, ata janë goditur edhe pasi janë neutralizuar dhe prangosur, ndërsa në publik janë paraqitur pretendime për rezistencë ndaj policisë dhe marrje të armës së një zyrtari policor.
Për këtë arsye, BDI kërkon që MPB-ja të publikojë raportin fillestar të patrullës policore, procesverbalet dhe dokumentacionin përkatës, duke respektuar të dhënat personale dhe integritetin e hetimit.
Partia kërkon përgjigje se kush e ka përpiluar raportin, çfarë kanë deklaruar policët e përfshirë në ndërhyrje dhe nëse versioni i tyre përputhet me pamjet që tashmë janë bërë publike.
BDI thekson se, nëse konstatohet tejkalim i autorizimeve policore, përgjegjësia duhet të përcaktohet për secilin zyrtar të përfshirë, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie për përdorimin e forcës nga policia.

