Miratimi i deklaratës së samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel është vonuar për rreth katër orë për shkak të kundërshtimit të përfaqësueses së Bosnjë-Hercegovinës ndaj formulimit që dënon glorifikimin e kriminelëve të luftës, mohimin e gjenocidit dhe revizionizmin historik, raportoi “New Union Post”.
Sipas këtij mediumi, kryesuesja e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, kundërshtoi pjesën e tekstit që përbën një dënim indirekt të nderimeve publike ndaj kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, i varrosur në Beograd më 7 shtator.
Deklarata përfundimisht u harmonizua, por vetëm pas përfundimit të konferencës për shtyp të presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Përplasje rreth dënimit të glorifikimit të kriminelëve të luftës
Në deklaratën e 25 nëntorit thuhet se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të respektojnë vlerat evropiane, të drejtën ndërkombëtare dhe vendimet e gjykatave për krimet e luftës.
“Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohim i gjenocidit dhe revizionizëm është në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane”, thuhet në dokument.
Sipas “New Union Post”, pikërisht ky formulim shkaktoi kundërshtimin nga pala e Bosnjë-Hercegovinës.
Një burim nga Bashkimi Evropian i deklaroi mediumit se një shtet kishte kundërshtuar të gjithë tekstin e deklaratës.
Mediumi raporton se bëhej fjalë për Bosnjë-Hercegovinën, e cila në samit përfaqësohej nga Cvijanoviq, politikane nga Republika Srpska.
Ajo përfundimisht dha pëlqimin për deklaratën, tri orë pas konferencës për shtyp të liderëve evropianë.
Mesazhi ndërlidhet me varrimin e Ratko Mlladiqit
Formulimi i kontestuar ndërlidhet me varrimin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiq, të mbajtur më 7 shtator në Beograd.
Mlladiq ishte dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë në vitet ’90.
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e dënoi atë edhe për rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995, ku u vranë rreth 8.000 burra dhe djem boshnjakë.
Varrimi i Mlladiqit, gjatë të cilit iu bënë nderime publike, shkaktoi reagime në Bosnjë-Hercegovinë dhe në institucionet evropiane.
Bashkimi Evropian më herët kishte dënuar glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës, duke theksuar se një sjellje e tillë nuk përputhet me vlerat evropiane.
Në deklaratën e Brukselit, Mlladiq nuk përmendet me emër, por përsëritet qëndrimi evropian për respektimin e vendimeve gjyqësore dhe refuzimin e revizionizmit historik.
Serbia mungon për herë të dytë radhazi në samit
Për dallim nga partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, Serbia nuk mori pjesë në takimin e Brukselit.
Kjo ishte mungesa e dytë radhazi e Serbisë në samitin BE–Ballkani Perëndimor.
Vendi, ku pas zgjedhjeve të tetorit shumicën parlamentare e fitoi Lista Studentore, ende përballet me procesin e formimit të qeverisë së re.
Sipas “New Union Post”, për shkak të mungesës në samit, Serbia nuk ishte e detyruar të harmonizohej me deklaratën.
Edhe samiti i mëparshëm, në vitin 2025, u zhvillua pa pjesëmarrjen e presidentit të atëhershëm serb, Aleksandar Vuçiq, i cili e arsyetoi vendimin me nevojën për mbrojtjen e interesave të Serbisë.
Deklarata kërkon respektimin e vendimeve gjyqësore për krimet e luftës
Përveç dënimit të glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe mohimit të gjenocidit, deklarata u bën thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të zhvillojnë një kulturë respekti dhe solidariteti me të gjitha viktimat e konflikteve të armatosura.
Theks i veçantë vihet mbi detyrimin për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe vendore për krimet e luftës.
Kjo pjesë e dokumentit u referohet të gjithë partnerëve të rajonit.
“New Union Post” e ndërlidh këtë edhe me reagimet aktuale politike në Kosovë pas vendimeve gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mediumi përmend edhe rastin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, proceset gjyqësore ndaj të cilit në Hagë kanë shkaktuar protesta në Prishtinë.
Zgjerimi i BE-së mbetet i kushtëzuar me reformat
Pavarësisht mosmarrëveshjeve rreth formulimit për krimet e luftës, deklarata rikonfirmon perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Në dokument thuhet se zgjerimi përbën një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës.
Vendeve të rajonit u bëhet thirrje të përshpejtojnë reformat në sundimin e ligjit, qeverisjen demokratike dhe harmonizimin me standardet evropiane.
Përparimi i secilit vend do të vlerësohet në bazë të përmbushjes së kritereve dhe meritave individuale.
Deklarata thekson gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, pajtimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë si parakushte për integrimin evropian.
Costa: Anëtarësimi në BE është një mundësi reale
Në konferencën për shtyp pas samitit, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se përparimi i Malit të Zi dhe Shqipërisë dëshmon se anëtarësimi në BE është i arritshëm.
“Përparimi që kanë arritur Mali i Zi dhe Shqipëria dëshmon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është një iluzion, por një mundësi reale për ata që angazhohen”, deklaroi Costa.
Ai u bëri thirrje vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor të zbatojnë reformat e nevojshme dhe të punojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.
“Sfidat që i kanë rrënjët në të kaluarën duhet të tejkalohen. Është koha të shikojmë përpara, jo prapa”, deklaroi presidenti i Këshillit Evropian.
Deklarata e Brukselit u publikua më 25 nëntor, me ç’rast vendet pjesëmarrëse konfirmuan mbështetjen për integrimin evropian, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe pajtimin rajonal.
Fejzi

