Këshilli Gjyqësor, me 8 vota pro dhe 2 kundër, ka pranuar parashtresën e administratës gjyqësore kundër kryetares së Gjykatës Themelore të Kumanovës, Snezhana Manev.
Nga 90 të punësuar në administratë, 75 kanë nënshkruar parashtresën, ndërsa më herët protestuan para gjykatës duke shprehur pakënaqësi për atmosferën dhe kushtet e punës. Sindikata UPOZ pretendon se Manev ka ushtruar mobing dhe ka përdorur fyerje personale e mbi baza kombëtare ndaj punonjësve.
Këshilli Gjyqësor ka formuar një grup pune që do t’i verifikojë pretendimet dhe do të shqyrtojë situatën në gjykatë.
Manev i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se pas protestës qëndrojnë disa punonjës të ndëshkuar për kryerje të papërgjegjshme të detyrave. Ajo ka deklaruar se kërkon angazhim maksimal nga të gjithë të punësuarit dhe se nuk do të bëjë kompromis me funksionimin e gjykatës.

