Videoklipi i reperit kosovar Don Xhoni për këngën “Sexy Mama”, i xhiruar në kompleksin memorial “Makedonium” në Krushevë, ka shkaktuar reagime të shumta në portalet dhe rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut përcjell agjencia e lajmeve INA.
Disa media maqedonase kanë ngritur pikëpyetje rreth vendimit për lejimin e xhirimit të videoklipit në këtë hapësirë, veçanërisht për faktin se bëhet fjalë për një kompleks memorial ku ruhen edhe mbetjet mortore të Nikola Karevit, një prej figurave kryesore të Kryengritjes së Ilindenit.
Sipas raportimeve në mediat maqedonase, hapësira është dhënë me qira për 500 euro, ndërsa debati kryesor lidhet me kriteret sipas të cilave është lejuar realizimi i videoklipit.
Në portalet dhe rrjetet sociale janë shfaqur komente të ndryshme. Disa qytetarë e kanë cilësuar si të papërshtatshëm kombinimin e një kënge me titullin “Sexy Mama” me një hapësirë të tillë memoriale.
“Më erdhi keq kur e pashë. Në fillim mendova se ishte lajm i rremë, por e hapa këngën dhe u zhgënjeva”, shkruan një komentues në një diskutim publik online.
Një tjetër komentues shkruan se lokacioni është interesant, por vë në pikëpyetje përshtatshmërinë e tij për këtë lloj videoklipi.
“Lokacion i mirë, pse jo”, shkruan një tjetër, duke e parë çështjen nga një këndvështrim tjetër.
Ka edhe komentues që nuk e shohin problem përdorimin e objektit për xhirime artistike, duke argumentuar se hapësirat kulturore dhe historike nuk duhet të mbeten të izoluara nga kultura bashkëkohore.
Në debat janë shfaqur edhe kritika për mënyrën se si menaxhohen objektet shtetërore dhe kulturore, me disa komentues që pyesin nëse çdo hapësirë mund të vihet në dispozicion për aktivitete komerciale vetëm kundrejt pagesës.
Një pjesë e opinionit publik e ka zhvendosur debatin nga Don Xhoni te vetë “Makedonium”, duke ngritur çështjen e mirëmbajtjes së objektit dhe mënyrës së përdorimit të tij.
Debati vjen në një kohë kur videoklipet e artistëve nga Kosova dhe Shqipëria në hapësira të ndryshme në Maqedoninë e Veriut po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje në rrjetet sociale.
Në thelb, diskutimi në opinionin maqedonas është përqendruar në një pyetje: a mund të përdoren hapësirat memoriale për produksione moderne dhe komerciale dhe, nëse po, cilat duhet të jenë kufijtë?
Rasti i Don Xhonit ka hapur pikërisht këtë debat, ndërsa reagimet në publik nuk janë të njëzëshme – nga kritikat e forta për zgjedhjen e lokacionit, deri te qëndrimet se objektet kulturore duhet të jenë të hapura edhe për artin bashkëkohor./INA/

