Projektligji i ri për mbrojtjen nga duhani në Maqedoninë e Veriut pritet të hyjë në fuqi më 1 mars, nëse miratohet nga Kuvendi. Nisma sjell kufizime më të rrepta për pirjen e duhanit në hapësirat publike dhe të mbyllura.
Sipas projektligjit, pirja e duhanit do të ndalohet në ambiente të mbyllura, përfshirë kafetë, restorantet, institucionet publike e arsimore, stacionet e autobusëve dhe trenave, tregjet dhe hapësira të tjera publike. Ndalimi do të vlejë edhe për cigaret elektronike.
Një tjetër masë parashikon ndalimin e pirjes së duhanit në automjete kur ndodhet një fëmijë i mitur. Po ashtu, tymosja nuk do të lejohet pranë institucioneve publike, ku duhanpirësit duhet të qëndrojnë të paktën 20 metra larg.
Për lokalet e gastronomisë parashikohet mundësia e pirjes së duhanit vetëm në tarraca të përshtatura, të hapura në të paktën dy anë. Për përshtatjen e tyre është paraparë një periudhë kalimtare prej një viti.
Ndërkohë, në Kuvend është diskutuar edhe mundësia e krijimit të dhomave të veçanta për duhanpirësit në restorante, kompani dhe institucione. Ministria e Shëndetësisë është shprehur kundër kësaj ideje, me arsyetimin se mund të anashkalohen kufizimet e reja.
Për shkelësit parashikohen gjoba deri në 300 euro për individët dhe deri në 5 mijë euro për kompanitë.
Qëllimi i projektligjit është forcimi i mbrojtjes së shëndetit publik dhe ulja e ekspozimit të qytetarëve ndaj tymit të duhanit.

