Një video e një përleshjeje fizike, që dyshohet se ka ndodhur sonte në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, është shpërndarë në rrjetet sociale, përcjell tetova1
Në video shihen disa persona të përfshirë në shtyrje dhe përleshje brenda terminalit të pasagjerëve, ndërsa udhëtarë të tjerë e ndjekin ngjarjen nga afër.
Incidenti ka shkaktuar shqetësim te personat e pranishëm, ndërsa disa prej tyre janë afruar për të parë se çfarë po ndodhte.
Personi që ka publikuar pamjet në rrjetin social “X” ka ngritur edhe pyetjen nëse në aeroportet e vendit ka siguri të mjaftueshme.
Nga pamjet e disponueshme nuk mund të përcaktohet se çfarë i ka paraprirë përleshjes, sa persona kanë marrë pjesë dhe nëse dikush është lënduar. Gjithashtu, nuk dihet nëse personat e përfshirë kanë qenë udhëtarë, persona që prisnin mbërritjen e dikujt apo punonjës të aeroportit.
Deri tani, nuk ka njoftim zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme apo nga operatori i aeroportit lidhur me shkaqet e incidentit dhe nëse ka pasur ndërhyrje nga sigurimi apo policia.
Më shumë detaje priten pas zbardhjes zyrtare të rastit.

