Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, një postimi në Facebook, ka kritikuar atë që e ka cilësuar si “propagandë të dekurajimit” ndaj qytetarëve që shprehin revoltën e tyre lidhur me vendimet e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ai ka kritikuar gjithashtu disa persona, të cilët, sipas tij, në të kaluarën kanë protestuar në Shqipëri për çështje të ndryshme, ndërsa sot shprehin kënaqësi për dënimet ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Postimi i plotë:
Çfarë hipokrizie! Nga Kosova mbështeste e protestonte në Tiranë për lirinë e flamingove në Zvërnec, e sot i gëzohet kafazit të Çlirimtarëve në Hagë!
Disa matrapazë publikë e paskan filluar propagandën e dekurajimit të shprehjes së revoltës qytetare për dënimet e Hagës: “jo kështu, jo ashtu, jo foli ky, jo foli ai…” Me fillimin e kësaj lufte speciale për relativizim, po synojnë ta arrijnë dorëzimin qytetar në mbrojtje dhe besim se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër.
Ky është i njëjti trend destruktiv në krijimin e narrativës që e ka gërryer Kosovën qe 20 vjet: e shkatërruan vendin, katundarë, të pashkollë, hajna, milionerë…
Sot nuk ka rrugë të mesme: ose i gëzohesh dënimit si Serbia, ose e kundërshton atë me dinjitet si qytetar e shqiptar.
Po lirisë së shprehjes, por JO e madhe për ju që jeni në shërbim të kësaj agjende dashakeqe.

