Raporton Televizioni News
Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka zhvilluar sot një takim me drejtorin e Qendrës për Punë Sociale në Shkup, z. Hamza Ameti, ku në fokus të diskutimeve ishte rikthimi i zyrës së Qendrës për Punë Sociale në objektin e Komunës së Haraçinës.
Pas këtij takimi, është bërë e ditur se nga dita e hënë, zyra e Qendrës për Punë Sociale do të jetë përsëri në ambientet e Komunës së Haraçinës.
Ky rikthim paraqet një hap të rëndësishëm për qytetarët e Haraçinës, të cilët do të kenë më pranë shërbimet e Qendrës për Punë Sociale dhe nuk do të kenë nevojë të udhëtojnë deri në Shkup për të marrë shërbimet përkatëse.
Me rikthimin e zyrës në Haraçinë, synohet që komunikimi me qytetarët të jetë më i drejtpërdrejtë, shërbimet më të qasshme dhe procedurat më të lehta për familjet dhe qytetarët që kanë nevojë për mbështetje dhe shërbime sociale.
Kryetari Daut Beqiri ka theksuar se puna e Komunës do të vazhdojë me fokus të veçantë te nevojat e qytetarëve dhe krijimi i kushteve që shërbimet institucionale të jenë sa më pranë tyre.
“Shërbimet duhet të jenë pranë qytetarit”, është mesazhi që përcjell ky hap i ri i Komunës së Haraçinës.
Rikthimi i zyrës së Qendrës për Punë Sociale në objektin e Komunës është një tjetër shërbim që qytetarët do ta kenë në dispozicion në vendin e tyre, duke e bërë më të lehtë qasjen në institucionet dhe shërbimet sociale.
Nga e hëna, qytetarët e Haraçinës do ta kenë përsëri këtë zyrë në Komunë.
Punë dhe vetëm punë, me qëllim që çdo shërbim të jetë sa më pranë qytetarit.

