Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka kërkuar përgjigje publike nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me kompromiset e bëra gjatë Marrëveshjes së Ohrit, veçanërisht për statusin e gjuhës shqipe.
Duke iu referuar deklaratave të Gëzim Ostrenit për zhvillimet e vitit 2001, Durmishi tha se shqiptarëve për më shumë se dy dekada u është prezantuar vetëm një version i Marrëveshjes së Ohrit.
“Çfarë e shtyu që, nga kërkesa për një shtet shqiptaro-maqedonas, të përfundonte duke pranuar që gjuha shqipe të mos përmendej me emrin e saj?”, pyeti Durmishi.
Ai akuzoi BDI-në se Marrëveshjen e Ohrit e ka përdorur si mburojë politike, duke theksuar se ajo nuk është pronë e asnjë partie apo lideri.
“Nëse për gjuhën shqipe ke bërë kompromise, çfarë tjetër nuk u ke treguar shqiptarëve?”, deklaroi Durmishi.
Ministri theksoi se prioritet mbetet avancimi i Marrëveshjes së Ohrit, përmes rregullimit ligjor të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe avancimit të decentralizimit.

