Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë përballen me shkelje të të drejtave të njeriut dhe diskriminim, duke theksuar se Kosova do të vazhdojë të mbështesë të drejtat dhe interesat e tyre, transmeton Anadolu.
Kurti është takuar sot në Prishtinë me rreth 70 përfaqësues politikë dhe të organizatave civile të shqiptarëve nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe rajoni i Sanxhakut, raportoi RTK.
Ai ka thënë se qasja e Kosovës do të fokusohet në mbështetjen e qytetarëve të këtyre zonave përmes formave të ndryshme, përfshirë mbështetjen për studentët, fëmijët dhe kategori të tjera, si dhe në avokimin e të drejtave dhe interesave të tyre në nivel ndërkombëtar.
“Për ne, Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Sanxhaku nuk janë çështje që diskutohen vetëm kur ka krizë. Ato janë çështje të përgjegjësisë politike, institucionale dhe kombëtare. Sepse prej vitesh po përballemi me një model diskriminimi që shfaqet me përfaqësimin e shqiptarëve në polici, gjykata, administratë dhe punësim, me pasivizimin e adresave, përdorimin e gjuhës shqipe dhe qasjen e pabarabartë nga institucionet publike”, ka thënë Kurti.
Ai ka deklaruar se gjatë vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Medvegjë, Bujanoc dhe një fshat në Preshevë, ndaj shqiptarëve është përdorur “gjuhë stigmatizuese dhe denigruese”, pas së cilës, sipas tij, kanë pasuar “premtime për punësime nga BIA brenda 48 orëve”.
Sipas Kurtit, kjo përbën një “kontrast të rëndë”, pasi shqiptarët, siç ka thënë ai, përballen me barriera dhe diskriminim gjatë kërkimit të punësimit në institucionet publike.
Kurti ka paraqitur tri rrafshe të politikës së Qeverisë së Kosovës ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Rrafshi i parë, sipas tij, ka të bëjë me mundësinë që qytetarët me prejardhje nga këto zona të jenë sa më të barabartë me qytetarët e Kosovës, duke përfshirë mbështetjen në fushat e arsimit, shëndetësisë, licencimit të profesionistëve, specializimeve, të drejtave dhe dokumentacionit.
Ai ka thënë gjithashtu se Kosova ka siguruar kujdes shëndetësor për pacientë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe mundësi për licencimin e punonjësve shëndetësorë.
Rrafshi i dytë, sipas Kurtit, lidhet me krijimin e mekanizmave qendrorë që merren me pozitën e shqiptarëve në zonat ku ata jetojnë.
“Për herë të parë kemi krijuar një linjë të rregullt buxhetore. Mbështetja financiare është rritur në 2 milionë euro në vitet 2022 dhe 2023, në 3 milionë euro në buxhetin e vitit 2024 dhe në 4 milionë euro në buxhetin e vitit 2025, si dhe në vitin 2026”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se janë siguruar tekste dhe materiale për fëmijët parashkollorë, si dhe bursa për studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa numri i bursave është rritur nga 107 në vitin 2022 në 756 vitin e kaluar.
Kurti ka përmendur gjithashtu mbështetjen për kulturën, trashëgiminë kulturore, sportin, mediat dhe organizatat civile që punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta. Ai ka shtuar se në vitin 2025 janë ndarë 500 mijë euro për bashkëfinancimin e shkollave të muzikës dhe muzeve në Preshevë.
Pika e tretë, sipas tij, ka të bëjë me avokimin ndërkombëtar për të drejtat e shqiptarëve në Serbi, duke thënë se Kosova ka ngritur çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Bruksel, Uashington, Nju-Jork, Parlamentin Evropian, Këshillin e Evropës dhe qendra të tjera evropiane.
“Sepse diskriminimi që nuk dokumentohet relativizohet. Diskriminimi që nuk ndërkombëtarizohet neglet problem lokal”, është shprehur Kurti.
Ai ka deklaruar se dy transfere të destinuara për projektet e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë janë bllokuar, njëri nga janari i këtij viti në vlerë prej 304.500 eurosh dhe tjetri nga prilli, në vlerë prej 1.837.501 eurosh.
Ai ka vlerësuar se bllokimi i mjeteve nuk mund të matet vetëm me shumat në miliona euro, pasi pasojat reale janë vështirësitë me të cilat përballen njerëzit.
Kurti ka bërë thirrje për zhbllokimin e mjeteve dhe funksionimin e llogarive të Këshillit Kombëtar Shqiptar, si dhe për zbatimin e projekteve të miratuara dhe vazhdimin e programeve mbështetëse.
“Ne po kërkojmë nga Bashkimi Evropian që t’i kërkojë Serbisë, si vend kandidat për anëtarësim, t’i respektojë standardet evropiane dhe t’i zgjidhë këto probleme“, ka thënë kryeministri në detyrë i Kosovës.

