Familja Ismaili nga fshati Llacë i Komunës së Tetovës ka hapur dyert e ngushëllimit për nënën e ndjerë. Mirëpo, ceremonia e varrimit gjatë ditës pati një incidente. Sipas familjarit Murat Ismaili, hoxha i fshatit, Bajram Xhezairi, ka refuzuar ta kryejë ritin e varrimit për shkak se mbi arkivol ishte vendosur flamuri kombëtar shqiptar. Murati sqaron se flamuri u hoq përkohësisht gjatë faljes së namazit, por rikthimi i tij pas lutjeve bëri që imami të braktisë ceremoninë.
“U fal, u përgatit dhe ishte faza e fundit për ta çuar. Dhe kur ne e rivendosëm flamurin — se kur erdhëm këtu flamuri ishte mbi arkivol — dhe thanë se duhet të hiqet për shkak se, edhe ne e dimë se sipas fesë islame nuk duhet të ketë figurë… Dhe ne, në momentin që ishte dovja sipas tyre që i kushtohet të vdekurit, ne e larguam flamurin. Por kur ceremonia mbaroi e gjitha dhe u desh të fillohet për të shkuar te varri, ne e vendosëm përsëri flamurin dhe aty lindi ajo që thanë: ‘Ne me këtë flamur nuk shkojmë”, tha Murat Ismaili.

