Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar ndaj një publikimi të “Shtabit Sot”, duke e akuzuar këtë medium për deformim të fakteve dhe përpjekje për dezinformim lidhur me konkursin për policë dhe konkursin për nxënës në shkollat e mesme. Iseni thekson se bëhet fjalë për dy konkurse krejtësisht të ndryshme, të cilat, sipas tij, nuk kanë asgjë të përbashkët. “Konkursi për policë dhe konkursi për nxënës në shkollat e mesme, përveç se janë dy konkurse të ndryshme, nuk kanë asgjë të përbashkët”, shkruan Iseni. Ai e kritikon ashpër mënyrën e raportimit të “Shtabit Sot”, duke thënë se në emër të ekskluzivitetit po publikohet informacion që deformon realitetin. “Kur kuzhina e ‘Shtabit Sot’ gatuan dezinformim dhe deformimin e realitetit publik, opinioni edhe njëherë bindet se jo çdo tentim për baltosje arrin qëllimin, përkundrazi, demaskon skenarin intrigues dhe qëllimkeq”, shprehet Iseni. Sipas tij, opinionit publik i janë dhënë tashmë sqarime të bazuara në fakte dhe argumente. “Mbrëmë sqarova me fakte dhe argumente çdo paqartësi, jo për ‘Shtabin Sot’, por për opinionin publik, ndaj të cilit kemi përgjegjësi t’i shërbejmë në çdo situatë”, thekson zëvendësministri. Në fund, Iseni ka ironizuar publikimin e mediumit, duke thënë se nëse ngatërrimi i dy konkurseve ka ndodhur pa dashje, atëherë autorët kanë nevojë “për një rikthim në bankat e shkollës së mesme”, ndërsa nëse është bërë me qëllim, e cilëson si “tentativë amatoreske për manipulim”. “Po e mbyll me këtë që, nëse ‘Shtabi Sot’ e ngatërron pa dashje konkursin e punësimit me atë të shkollës së mesme, ka nevojë për një rikthim në bankat e shkollës së mesme, nëse kjo bëhet me qëllim, atëherë nuk është gjë tjetër veçse një tentativë amatoreske për manipulim”, shkruan Iseni.

