Sot në Prishtinë po mbahet protestë në të cilen protestueset kërkuan nga institucionet ndërmarrjen e masave konkrete dhe garantimin e mbrojtjes më të madhe për gratë që përballen me dhunë.
Brenda një jave dy burra privuan bashkëshortet e tyre nga jeta, njëri në Malishevë e tjetri në Prizren.
Aktivistja Qëndresa Hyseni ka renditur disa nga kërkesat e tyre, për të cilat, sipas saj, institucionet duhet të veprojnë me urgjencë.
“Trajtimin e sigurisë së grave si çështje me urgjencë kombëtare dhe si aspekt kyç të sigurisë publike. Ne kërkojmë që kjo qeveri të krijojë një njësi të specializuar për parandalimin e femicidit në nivel ministror; përgjegjësi institucionale dhe funksionalizim të mirëfilltë të zinxhirit institucional që parandalon femicidin, duke përfshirë këtu qendrat për punë sociale; mirëfinancim të politikave sociale që zbehin pabarazitë gjinore dhe ekonomike që i mbajnë gratë në dhunë; kodifikim të femicidit si vepër e veçantë penale; si dhe edukim gjithëpërfshirës në sistemin arsimor që targeton maskulinitetin toksik dhe riformëson marrëdhëniet gjinore mbi parimin e barazisë dhe drejtësisë”, ka thënë Hyseni.
Në protestë pjesëmarrës ishin edhe familjarët e Jetlira Foniqit, gruas që dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj tashmë i ndjerë.

