Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar lidhur me interesimin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në konkursin për shkollën e mesme të policisë, duke dhënë sqarime mbi të gjithë procesin e përzgjedhjes.
Sipas Isenit, në konkurs kanë aplikuar gjithsej 509 kandidatë, prej të cilëve 29 kanë qenë shqiptarë, ose 5,7 për qind.
“Përse ky interesim kaq i ulët? Është çështje që duhet trajtuar, por jo edhe të befasohemi, sepse është viti i parë që hapet kjo shkollë”, ka theksuar Iseni, duke shtuar se do të punohet që vitin e ardhshëm interesimi i të rinjve shqiptarë të jetë dukshëm më i madh.
Në fazën e përzgjedhjes administrative janë eliminuar 106 kandidatë, ndërsa 403 kanë vazhduar në fazat e mëtejshme. Nga kandidatët shqiptarë, 12 janë eliminuar për shkak se nuk i kanë plotësuar kriteret e suksesit gjatë viteve paraprake të shkollimit.
Iseni sqaron se bëhet fjalë për kritere që vlejnë për të gjithë kandidatët dhe që janë të njëjta me kriteret e përcaktuara për shkollat e mesme në vend.
Ndërkohë, dy kandidatë shqiptarë nuk e kanë kaluar testin e përgjithshëm, ndërsa dy të tjerë nuk janë paraqitur fare në testim. Kështu, nga 29 shqiptarë që kishin aplikuar, 25 kanë vazhduar procesin e përzgjedhjes.
Në përfundim të procesit, janë pranuar 13 kandidatë shqiptarë.
“29 kanë aplikuar, 2 fare nuk janë paraqitur tutje, 2 të tjerë nuk e kanë kaluar testin, dhe 12 të tjerë janë eliminuar për shkak të suksesit nga vitet paraprake të shkollimit”, ka sqaruar Iseni.
Zëvendësministri thekson se procesi është zhvilluar mbi kritere dhe standarde të njëjta për të gjithë kandidatët.
“Ne vazhdojmë me dinjitet dhe profesionalizëm të përfaqësojmë të gjithë, pa hile e pa propagandë. Ka ikur koha e nepotizmit, punësimit me çmimore dhe avancimeve me kushtëzime”, ka deklaruar Iseni.
Ai ka theksuar gjithashtu se rritja e interesimit të të rinjve shqiptarë për profesionin e policisë mbetet një çështje që duhet të trajtohet në vazhdim, pasi, siç shprehet ai, “siguria nesër varet nga gjeneratat e sotshme.”

